Implementimi i shahut në shkolla është pjesë e një programi shumë të gjërë modernizimi i kurrikulave arsimore, i cili synon të sjellë inovacion dhe progres në shkollat tona. Në këtë kuadër Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, në datat 16, 17 dhe 18 Prill zhvilloi Kampionatin e Shahut midis 54 shkollave 9-vjeçare publike, një veprimtari e bukur massive ku u gërshetuan natyrshëm elementi artistik me atë sportiv. Fëmijët dhuruan lojra të bukura dhe me fantazi. Gara e drejtuar me mjeshtëri nga Z. Shkëlqim Laze u zhvillua në tre faza dhe u mbështet nga dy specialist të shahut, Z. Nelson Qirjako, publicist dhe botues i librave të shahut dhe Z. Kristaq Andoni, manaxher i Federatës Shqiptare të Shahut, të cilët i dhuruan 8 finalistëve 16 libra shahu. Në përfundim të aktivitetit çmimi i dytë iu dha Marinel Vasili, shkolla "Gustav Mayer" dhe çmimi i tretë nxënësit Piro Marko, shkolla "Fan Noli". Kupa e Kampionatit iu dha fituesit të çmimit të parë Ted Shpati, nxënës i shkollës "Emin Duraku", nga Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës Znj. Mimoza Kuqi.